Të punësuarit në Afganistan dërgojnë para në Kosovë

Artikuj Tjerë

22.11.2011 17:19 Sipas hulumtimeve të GAP, në bazat ushtarake dhe në sektorë të tjerë në Afganistan, janë të punësuar rreth 2100 kosovarë, paga mesatare mujore e të cilëve është rreth 2500 euro. Për çdo vit nga Afganistani në Kosovë hyjnë së paku 50-55 milion euro.

Instituti për Studime të Avancuara GAP publikoi analizën e rradhës me titull: "Dërgesat nga Afganistani dhe ndikimi i tyre në ekonominë e vendit". Kosova është një nga vendet e cila përfiton më së shumti për kokë banori nga dërgesat e punëtorëve jashtë vendit. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, në vit në Kosovë arrijnë mbi 500 milion euro, të cilët dërgohen nga kosovarët jashtë vendit për familjet e tyre në Kosovë. Deri më tani nuk janë vlerësuar sa duhet dërgesat nga vendet e Lindjes së Mesme – sidomos dërgesat nga Afganistani. Sipas hulumtimeve të GAP, në bazat ushtarake dhe në sektorë të tjerë në Afganistan, janë të punësuar rreth 2100 kosovarë, paga mesatare mujore e të cilëve është rreth 2500 euro. Për çdo vit nga Afganistani në Kosovë hyjnë së paku 50-55 milion euro. Të gjitha këto mjete hyjnë përmes sistemit bankar, çka e bën më të lehtë përllogaritjen e këtyre dërgesave.

 

Pozitat e punës në të cilat kosovarët më së shumti janë të punësuar janë: depoist, specialist në shërbimet ushqimore, specialist për kontrollimin e materialeve, punëtorë për shërbimin e ushqimit, kuzhinier, punëtorë krahu, mekanikë, vozitës etj.

 

Ekzistojnë rrugë të ndryshme për dërgimin e dërgesave nga emigrantët kosovarë, e ndër më të përhapurat janë ato përmes të afërmve, bankës apo përmes agjencive për transferimin e parave.Sipas të dhënave nga bankat që operojnë në Kosovë, shtrirja regjionale e punëtorëve nga Kosova që punojnë në Afganistan është e përqendruar në Ferizaj me 56% e totalit të punëtorëve kosovar në Afganistan, e pasuar nga Prishtina me 21% dhe Gjilani me 19%, ndërsa në përmasa më të vogla janë edhe punëtorët nga Mitrovica (2%), Gjakova (1%), Peja (0,7%) dhe Prizreni (0,3%). Kjo vjen edhe për shkak se komunat e Anamoravës janë më të informuara rreth mundësisë së punësimit në këtë shtet, krahasuar me komunat tjera dhe kjo kryesisht përmes KFOR-it amerikan të vendosur në këtë pjesë.

Sipas agjencive të cilat janë marrë me ndërmjetësimin e kandidatëve për punë me kompanitë kontraktuese dhe kanë kryer shërbime me pagesë për plotësimin e aplikacioneve për punësim, nga viti 2001 e gjer më 2011, ndërmjet 7.000-8.000 persona kanë qenë të punësuar nga Kosova në Afganistan. Fatkeqësisht një punëtore nga Ferizaj ka humbur jetën pak kohë më parë.

 

Instituti për Studime të Avancuara GAP, përmes një hulumtimi disa mujor, ka grumbulluar të dhëna nga kompanitë kontraktuese, bankat komerciale, agjencitë e punësimit dhe intervistat e drejtpërdrejta me punëtorët kosovar në Afganistan, dhe del me këtë analizë e cila ka për qëllim që të informoj publikun me këtë kategori të të punësuarve jashtë vendit, kushtet e tyre të punës, rajonet prej nga vijnë, ndikimi i këtyre mjeteve në ekonominë e vendit. Në fund GAP ka dalë me disa rekomandime për institucionet publike.

 

Të mërguarit shqiptarë përfshirë edhe ata që janë në vatra krize si Irak e Afganistan me anë të aksioneve humanitare individuale a të përbashkëta kanë ndihmuar edhe të tjerët duke ua pakësuar vështirësitë e jetës. 


Ndërkohë ende ka mjaft shtetas kosovarë që tentojnë të gjejnë mënyra për të kërkuar një vend pune duke u larguar nga Kosova për shkak të kushteve ekonomike dhe papunësisë së lartë.

(KosovaTimes)



 

Facebook Twitter