Dënojnë incidentin në veri

Artikuj Tjerë

01.06.2012 15:46 Incidentin e ndodhur sot në veri të Kosovës, me rastin e heqjes së barrikadave nga ana e KFOR-it, e kanë dënuar ashpër Zyra e Presidentes dhe Kryeministrit të Kosovës, si edhe LDK-ja.

(E plotësuar)

Incidentin në veri e dënon edhe Qeveria

Qeveria e Republikës së Kosovës është duke i përcjellur nga afër dhe me vëmendje të shtuar zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës.

Qeveria vlerëson lartë angazhimin e forcave të KFOR-it për heqjen e barrikadave në fshatin Rudar, për të mundësuar lirinë e lëvizjes së qytetarëve edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës, thuhet në një komunikatë për media të dërguar nga Zyra për informim e Kryeministrit..

Largimi i barrikadave dhe hapja e rrugëve për të siguruar lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave në gjithë pjesën veriore të Kosovës është në funksion të hapjes së perspektivës së zhvillimit ekonomik dhe të krijimit të sigurisë së plotë për qytetarët.

Qeveria e Republikës së Kosovës iu bën ftesë qytetarëve të Kosovës që jetojnë në veri të vendit që të bashkëpunojnë me KFOR-in dhe t’i ndihmojnë forcat paqeruajtëse në përmbushjen e mandatit të tyre për të krijuar një mjedis të sigurt për të gjithë.

Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se liria e lëvizjes si e drejtë fondamentale është në interes të të gjithëve, e më së shumti në interes të vet qytetarëve që jetojnë në veri të vendit.

Prandaj, heqja e barrikadave në rrugë nënkupton edhe heqjen e frikës tek qytetaret atje, dhe mundësinë për një jetë normale.


--------------------------------------------------------------------

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës e dënon dhunën mbi forcat paqeruajtëse të NATO-s nga një grup i qytetarëve të komunitetit serb që ndodhi sot në rrugën Mitrovicë – Leposaviq dhe që solli plagosjen e një numri të ushtarëve të KFOR-it dhe të qytetarëve.

Zyra e Presidentes i ka cilësuar të papranueshme përpjekjet e strukturave ilegale serbe për të penguar me dhunë heqjen e barrikadave nga rrugët dhe për të penguar qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës.
 
Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës mbështet aksionin e forcave paqeruajtëse të NATO-s për heqjen e barrikadave dhe zhbllokimin e rrugëve që përkon me misionin e KFOR-it.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër sulmin e sotëm të armatosur të bandave kriminale serbe, të drejtuar kundër ushtarëve të KFOR-it, në Zveçan.

Lidhja Demokratike e Kosovës mbështet fuqishëm aksionin e ushtarëve amerikanë të KFOR-it për të larguar barrikadat dhe për të hapur rrugët në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës.

LDK-ja, përmes një komunikate për media, thekson se askush nuk ka të drejtë të mbajë peng jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës, aq më pak strukturat kriminale që tash e sa vite kanë bllokuar jetën në Veri.

 

Facebook Twitter