Shala: Politikanët duhet të transformohen

Artikuj Tjerë

29.05.2012 22:07 Nënkryetari i AAK-së Blerim Shala i ka vlerësuar me të frytshme vitet nga 1999 e deri në vitin 2008, se sa ato nga shpallja e pavarësisë, pasi shoqëria e Kosovës po degradon, dhe se askush nuk është i kënaqur përveç krerëve të institucioneve që knë një optimizëm të rrejshëm. Shala ka thënë se politikanët duhet të transformohen dhe të krijojnë shtet të mirëfilltë.

Gjatë emisionit Rubikon në KTV, deputeti i AAK-së Blerim Shala, ka folur për politikën, politikanët, për identitetin kombëtar dhe çështje tjera që kanë të bëjnë me Kosovën.

“Kosova, në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, ka arritur të menaxhojë me sukses provokimet e Serbisë ndaj Kosovës, ka arritur me sukses të vendosë raporte të mira me komunitetet pakicë, por ka dështuar në shumë pika tjera të rëndësishme për forcimin e shtetit”, ka thënë Shala.

Ai ka përmendur edhe pyetjet që disa diplomatë amerikanë ua kishin bërë drejtuesve të Kosovës pas vitit 1999. Richard Holbrook kishte pyetur, “E kemi ditur që duhet t’ju mbrojmë nga Serbia, por nuk e kemi ditur se duhet t’ju mbrojmë nga vetvetja”; dhe  Medeline Allbright kishte pyetur “Dëshironi të bëni shtet të mirëfilltë apo të dështuar”.

Shala me tutje ka thënë se qytetarët nuk duhet mashtruar se do të hiqen vizat edhe pesë-gjashtë muaj, se Kosova do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian brenda pesë-gjashtë vjetëve, por duhet t’u thuhet e vërteta.

“Kosova nuk mund të ndryshojë asgjë derisa nuk e arrin buxhetin prej të paktën tre miliardë eurove dhe ka gjasa që do të kalojnë vite derisa kjo të arrihet, sepse mungon strategjia. Dhe sipas rekomandimeve ndërkombëtare, nuk duhet të ketë rritje pagash edhe katër vjet. Kështu Qeveria vendnumëron dhe kur problemet arrijnë kulmin ngrihet shpejt dhe thyen qafen. Ashtu sikur ka ndodhur edhe me veriun deri më tani”, ka thënë Shala.

Publicisti Shala ka shprehur nevojën e transformimit të politikanëve në mënyrë që shtetasit e Kosovës të ndjehen krenarë me Kosovën dhe shtetet që e kanë njohur Kosovën, derisa, sipas tij. është e paimagjinueshme që në vitin 2012 të mbahen ligjërata patriotike të viteve të 90-ta.

“Duhet të transformohemi, të transformojmë partitë, të bashkohemi dhe ta bëjmë Kosovën vërtetë shtet të zhvilluar dhe demokratik. Nuk duhet të anashkalojmë meritat e askujt, por nuk duhet folur në veten e parë siç bën shembull kryeministri Hashim Thaçi... Askush nuk mund të thotë se ka pasur projekt personal pavarësinë e Kosovës. Ka qenë guxim i jashtëzakonshëm të luftosh me Serbinë, por nuk mund të mbetesh politikanë dhe komandant i përjetshëm”, ka thënë Shala. 


(KosovaTimes)
 

Facebook Twitter