Kuvendi me rregullore të re, vendimet obliguese për qeverinë

Artikuj Tjerë

29.05.2012 21:17 Ndryshimet e reja në rregulloren e re të Kuvendit do të saktësohet se vendimet, mocionet dhe rekomandimet e legjislativit do të jenë obligative në çdo rast për qeverinë.

Në Rregulloren e Punës të Kuvendit të Kosovës, po bëhen ndryshime të reja, ku do të thuhet se rekomandimet dhe mocionet e Kuvendit janë vendime që duhet të zbatohen nga Qeveria.

Se këto ndryshimet po bëhen dhe se shumë shpejt do t’i dorëzohen seancës për miratim e ka konfirmuar kryetari i Nënkomisionit për Rregulloren e Punës, Armend Zemaj.

Ai ka thënë se në Rregulloren e re të Kuvendit do të precizohet qartë se rekomandimet kur votohen në Kuvend shndërrohen në vendime, të cilat Qeveria e ka për obligim t’i zbatojë.

Megjithatë, pak më ndryshe e komentojnë këtë çështje anëtarët e partive të pushtetit nga ky Nënkomision parlamentar, raporton KTV.

Sipas tyre, rekomandimet janë vendime politike që duhet t’i zbatojë Qeveria, por nuk janë vendime që prodhojnë efekte juridike apo ligjore, sepse vetëm Kushtetuta dhe ligjet kanë natyrë juridike.
 

Facebook Twitter