Pacolli merr çmimin e paqes në Filipine

Artikuj Tjerë

23.11.2011 16:06 Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli do të nderohet nesër në Filipine me çmimin e paqes nga Fondacioni “Gusi Peace Prize International”.

Në prani të autoriteteve më të larta të shtetit të Filipineve dhe qindra të ftuarve nga shtete të tjera të Azisë, ish presidenti, aktualisht zëvendëskryeministër i Kosovës, Behgjet Pacolli do të marrë çmimin e paqes, nga Fondacioni “Gusi Peace Prize International”, ka njoftuar zyra e tij.

Pacolli do ta marrë këtë çmim me motivacionin, për kontribut në ekonomi, qeverisje, dhe angazhim humanitar që nga përkujdesja për fëmijët jetim, deri te lirimi i pengjeve në Afganistan.

“Madje njëri prej pengjeve të liruar në vitin 2004 në Afganistan, nga ana e Pacollit, ishte edhe diplomati filipinas Anglitoo Nayan, që ishte zënë peng bashkë me kosovaren Shqipe Hebibi”, thuhet në komunikatë.

Përveç zëvendëskryeministrit Pacolli, ky çmim do tu ndahet edhe James R. Mancham, ish president i Republikës së Seychelles, me motivacionin për Aftësi Politike, dhe prof. Amos C. Sawyer, ish president i Liberisë, me motivacionin Ndërtimi i paqes në Liberi dhe në kontinentin e Afrikës.

Deri më tani, çmimi “Gusi Peace Prize International”, u është ndarë 16 personaliteteve nga e tërë bota, që vijnë nga fusha të ndryshme, politika, biznesi, aktivizmi shoqëror, shkenca, letërsia, etj. Ky çmim me traditë jepet prej 12 vjetësh, dhe shënon një nga ngjarjet më të mëdha në jetën publike të Filipineve.

“Në mëngjesin e ditës së sotme, flamuri i Kosovës, i vendit nga vjen Pacolli u ngrit për herë të parë në sheshin më të madh publik të Manilas, në prani të autoriteteve të larta të shtetit, kryetarit të bashkisë së Manilës, etj, në shenjë mirëseardhje për Pacollin”, thuhet në komunikatë.

Filipinet, një shtet prej mbi 100 milionë banorë, nuk e ka njohur ende Kosovën, ndaj ky gjest ka krijuar vëmendje të madhe publike rreth figurës së Pacollit.

“Marrja e çmimit nuk është e vetmja arsye pse Pacolli gjendet në Manila. Prej këtej ai, siç është paralajmëruar, do të ndërmarrë një turne lobimi në vendet fqinjë, si Tajlanda,Brunei, Indonezia”, thuhet në komunikatë.

(KosovaTimes)

 

Facebook Twitter